
|
Pjesemarres ne takim, maj 1968 |
TAKIMI i PËRZEMËRT
Fteriotët e Tiranës takohen në Kodrat e Liqenit
Shqetësimi i Dilaverit.
Veçanërisht gjatë gjithë javës së fundit,Dilaver Shkurti, nismëtar i këtij takimi, të cilin në emër të të
gjithë fteriotëve e falënderojmë, ka qënë i shqetësuar. Jo aq nga mendimi se do të vijnë apo jo fteriotët në këtë takim-piknik,
por si do të jetë koha dhe a do të mbeten të kënaqur.
Këtë shqetësim tek ai e pamë në ditën e takimit, më 24 maj 1998, në Parkun e Madh të Tiranës, ose siç i thotë
populli tek Kodrat e Liqenit. Ka ardhur ndër të parët së bashku me Dallandyshen, Rakipin, Lulen e të tjerë. Por kokën e mban
nga rruga. Dhe tek sheh grumbuj-grumbuj fteriotë që vijnë, i qesh zemra. Dhe ne të tjerët që vijmë më pas gëzojmë që kanë
ardhe kaq bashkëfshatarë dhe që vazhdojnë të vijnë.
-Të lumtë Dilaver, ke bërë një gjë të bukur që na mblodhe për të mirë!
Janë të të gjitha moshave.
Kur i shikon që ngjiten të përpjetë Kodrës për të dalë tek pika e takimit, dallon menjëherë që edhe të moshuarit
nuk ndjejnë lodhje. Ja po vjen Safet Memi me Diton ,deri me nipër e mbesa. Po vijnë me familjet e tyre Halil Hizmua, Lutfi
Dusha, Eqerem Kofina, Bajram Sadiku, Hamza Memi, Muhamet Malo, Selim Avreci, Sami Kofina,Elma Gjoni e shumë të tjerë.
Krahas tyre brezi më i ri : Rexhua, Haliti, Elvira, e pastaj akoma më të rijntë, tre vëllezërit e Bezhane:
Hamleti, Edipi e Petriti, , Vexhi Gjoni, Zaçe Malo, Jashik Maçi... e sa e sa të tjërë, të cilëve u kërkojmë ndjesë që nuk
mund tu përmendim emrin. Të rinjtë e fëmijët u bënë edhe lezeti i veçantë i takimit.
Takime, përqafime e puthje vëllazërore. Nuk munguan edhe prezantimet, se helbete, koha,punët, hallet i kanë
ndarë njerzit. Ka nga ata që kanë disa vjet pa takuar me njeri tjetrin. Takime të tillë kemi bërë edhe mbi 30 vjet të shkuara.
Ka qënë traditë në Fterrë. Kështu mblidheshin edhe prindërit tanë herë pas herë, në vendet mjaft të bukura të fshatit. Është
edhe një bejte e Shaqo Mitës :
Atje te Kroi i Bedrinit
studentat se çu mbëlodhë... .........................................

|
Takim i vitit 1963 |
Të rinjtë dhë fëmijët, lezeti i takimit.
Fteriotët gjithënjë kanë qënë të bashkuar. Një merak kanë ca nga ata që janë më të moshuar. A do të vazhdojnë
fëmijët, nipërit dhe mbesat tona këtë harmoni, këtë dashuri e bashkim me njeri-tjetrin? Por kur vren me kujdes ngrohtësinë
e këtij takimi bindej se ajo që kultivuan prindërit tane tek ne, do të ketë vijimësi te fëmijët tanë.Dhe ata do ta duan e
respektojnë njeri-tjetrin. Tradita është traditë. Ja, këta të rinj që vijnë së
bashku me prindërit dhe gjyshërit e tyre, dëshmojnë më së miri këtë.
Takojmë me një fëmijë të bukur e të pastër (si ujët e Ixorit!).
- Si e ke emrin ?
- Ronald Zhupa, po Rodi më flasin, përgjigjet fëmija.
- Nga je?, e pyesim.
- Nga Fterra, na thotë.
- Edhe unë nga Fterra jam, përgjigjet Teuta Maçi.
- Të gjithë sa jemi këtu, nga Fterra jemi, shton një tjetër i rritur.
- Ju dhe nuset që kini marrë jashtë Fterrës i keni bërë bija të fshatit - thotë Vanthia, e shoqia e Bajram
Sadikut. Ndaj dhe unë, megjithëse në gjendje jo të mirë shëndetësore, mora fuqi e erdha.
Fteriotët thonë : "Nusja e mirë bëhet bijë e parë e fshatit. Dhëndërri i mirë, bëhet djali i parë i shtëpisë".
Të gjithë fëmijët tanë, nipër e mbesa, e kanë për krenari që janë nga Fterra, sepse Fterra ka qënë dhe mbetet
vend me njerëz të mirë, me mençuri popullore e mençuri shkencore.
- Ta kesh për nder të jesh nga Fterra, i tha Valdeti i vogël Dushos
para pak vitesh.
-
Etja për dituri - vyrtyt i fteriotëve
Fshati ynë njihet për arsim- dashës. Bijt e bijat e Fterrës jo vetëm kanë vazhduar shkollën, por ështa fakt
që masa më e madhe e tyre kanë qënë nxënës cilësorë, kanë qënë të parët midis të parëve. Kjo është dukur më shumë në shkollën
unike (7 apo 8 vjeçare), në shkollën e mesme në Vlorë, në Sarandë, Gjirokastër, Shkodër e Tiranë. Edhe ata që vazhduan univesitetin,
studentë cilësorë kanë qënë. Deri në vitin 1990 mbi 250 djem e vajza kanë mbaruar shkollat e larta. Për fshatin tonë që historikisht
ka qënë jo më shumë se 100 shtëpi është një tregues mirë.
Ka ngelur i veçantë brezi i fëmijëve të Fterrës që vazhduan shkollën 7-8 vjeçare në Kuç. Vinin nga Fterra
12 km rrugë në këmbë. Zinin dhoma në Kuç, të cilat ishin si të thuash, "konvikte" të vogla. Ndaj edhe Haliti kërkoi të bëjnë
një fotografi gjthë brezi i atyre që klasën e V deri të VII e bënë në Kuç, sepse Fterra jonë atëhere nuk kishte hapur shkollë
7-8 vjeçare.Dhe mblidhen një grup. Midis tyre Dallandyshja, Lulja, Rexhua, Hamleti...
Sa kuptimplote është kjo fotografi. Po thuajse asnjë nxënës nga fshati nuk mbeti pa vazhduar klasën e 5-të
deri në të 7-tën në Kuç dhe në kushte tepër të vështira, në shi e dëborë, me nje trastë me bukë e çmund të na jepnin me vete
Nënat tona të shrenjta për ushqimin e javës. Kur na mbaronte, detyroheshim të vinim nga Kuçi në Fterrë në këmbë për të marrë
bukë. Po shkollën asnjeri nuk e ndërpreu.Vetë prindrit tanë, sidomos nënat, nuk na linin pa shkollë se ato vetë e vuanin këtë
mungesë. Me nga 3-4 orë rrugë në ditë mbaruan shkollën mjaft bashkëfshatarë tanë. Prej tyre sot ka profesorë, doktorë, njerëz
të nderuar. Dhe nuk janë pak...
Dhe bisedat e ngrohta vazhdojnë.
- Ja, thotë Elvira, 35 vjet më parë këtu bëmë një piknik gjithë fteriotët. Nuk ishim kaq shumë sa sot. Por
një pjesë e atyrë nuk janë më.
Më të moshuarit tregojnë ngjarje nga e kaluara. Të rinjtë dhe fëmijët dëgjojnë me kujdes. Ata nuk harrojnë
të pyesin me çiltersinë e tyre, për ngjarjet , por edhe për njerëzit. Shumë prej tyre ata i shikojnë për herë të parë dhe
nuk të çudit një farë habie e tyre kur shef që gjyshi, i jati ose e jema takohen, përqafohen, puthen me dikë, që ai fëmijë
i mirë nuk e ka parë ndonjëherë. Prandaj edhe pa druajtje pyet:
- Gjysh, edhe këtë kushëri e kemi ?
- Edhe ky nga Fterra jonë është?
- Po, të gjithë sa jemi këtu nga Fterra jemi. Jemi rreth 400 familje fteriote. Tani vetëm në Tiranë jemi
mbi 160 familje. Po kemi në Fterrë, Sarandë e Vlorë. Dhe familjet fteriote që jetojnë në Tiranë nuk erdhën dot të gjithë.
Mbase ka edhe nga ata që nuk u njoftuan dot.
Të mos harrojmë bukën e fshatit që na rriti.
Zaçe Malua na gostiti me bukë të misërt e djathë, ashtu si dikur në fshat. Bukë e gatuar si në vatër e me
saç. Sa kuptimplote ishte kjo gostitje, ndoshta ajo do të mbahet më shumë mend në këtë piknik, sepse na kujtoi fëmijërinë,
na kujtoi fshatin, na kujtoi si jemi rritur me bukë të fituar më djersën e ballit. Asnjëherë fterioti nuk i ka rënë në qafë
kujt. Edhe sot, si ata që janë në fshat, edhe ata që janë këtu në Tiranë, në Sarandë apo Vlorë, edhe ata që jane jashtë kufijve,
bukën e fitojnë më djersën e ballit. Gjithënjë të nderuar kanë qënë.
Gëzuar për grupin e Fterrës.
Magnetofoni me këngët e grupit të Fterrës, i sjellur nga Feksori, vendosur në një pemë, dëgjohet nga të gjithë.
Është Tenua, Hasani me antarët e tjerë të grupit që këndojnë për historinë, traditën, për kulturën, për trimërinë, për bijtë
e ditur të fshatit, për Fterrën e Kurveleshin, për Kosovën, për gjithë Shqipërinë. Bukur tingëllon këtu te Kodrat e Liqenit
në Tiranë kënga polifonike e grupit të Fterrës sonë. Melodios është zëri i Afos së Lulos e i asj bijës së Kofine. Fteriotët
i dëgjojnë e i shijojnë. Pastaj duartrokasin dhe ngrenë një shëndet me rakinë e Jashikut të dërguar nga Nexhdeti prej Fterre:
Gëzuar për këngën fteriote.
Gëzuar për grupin e Fterrës.
Edhe ata që nuk erdhën dot, uruan.
Në këtë takim munguan jo pak fteriotë, por po thuajse të gjithë të justifikuar. Ca nuk e morën vesh. Të tjerët
dërguan përshëndetjet e tyre. Kështu psh Bezhanajt munguan, sepse kishin të 40-at e të ndjerit Nedim. Atje ishte dhe Ismeti.
Por megjithatë nuk harruan të urojnë: Kalofshi gëzuar. Muzaferi shkoi me shërbim. Ishte më shkencëtarë të huaj, por nuk harroi
të porosiste gruan, Adelinën, që të vinte pa tjetër. Bardhyli kishte nje rast vdekje në Delvinë, se i vdiq kunati, vëllai
i Ferasetit. Imer Shkurti me shërbimin urban. Edhe xha Qazua që për shkak të moshës së thyer nuk erdhi dot, na dërgoi urimet
e tij për këtë takim kaq të ngrohtë. E kështu shumë të tjerë.
Guro ZENELI
Agron Xhama
Nr. 8 - qershor, 1998

LUMI NA BASHKON E NUK NA NDAN
Miku im N.A më tha se e kishtë dëgjuar vetë çkish thënë dikush në një
gosti. "Me fshatin përtej na ndan lumi". I kish tërequr shumë vemendje mikut tim kjo shprehje, madje e kish zemëruar. Por
nuk e kish parë të udhës të bisedonte me të në atmosferën e gëzuar të gostisë. E kish qetësuar disi fakti që sia kish ngarë
njeri llafin, por jo plotësisht, prandaj kish menduar të bisedonte më vonë vetëm për vetëm me të, këmbëkryq. E brente përbrenda
meraku se llafi i pamatur, ndonjëherë, bën dëm se gjen shtrat për përhapje si mendim.
Por ai që tha ashtu atë natë, kish ikur shpejtë nga gostia. Kurse miku
im u largua të nesërmen prej fshatit dhe erdhi këtu, në qytet ku punon e banon. Ama për atë mendimin si qetësohej shpirti
sa ta sqaronte mirë, e po të qe nevoja ti fuste një dush të ftohtë...
- E, more, çke me të. Ashtu i erdhi mendimi, ashtu tha.
- Jo, më tha miku im N. Se kjo shprehje nënkupton dy aspekte të kundërta:
I pari, i mirë, në se është thjesht për të treguar ndarje natyrore
të dy fshatrave nga lumi. Kjo do të thotë që tani, kur njeriu hyn në mëri apo edhe vret njeriu njerinë për një copë tokë,
neve banorëve të dy fshatrave pranë nuk mund të na ndodhë. Këtë "problem" na e ka zgjidhur lumi si kufi natyror. Pra ska asnjë
rrezik lakmie, mërie,përgojimi, përgjakjeje. Pra, i "faleminderit" atij, lumit.
Aspekti i dytë, mund të jetë i keq, po ta thuash atë shprehje me kuptimin
që "ata përtej,ne përkëtej lumit dhe...asnjera palë nuk ka nevojë për tjetrën". Pse, do të thuash. Po ja: Pa hyrë në marrëdhëniet
e përditshme e të shumëllojshme të banorëve të këtushëm, ku jo rrallë marrin pjesë e qajnë edhe me ligje në hidhërime për
ata që na lanë. A derdhen kot lotë e thuren dot ligje pa dashuri njerëzore dhe respekte të rrënjosura reciprokisht? Unë them
jo.
Pastaj nga krushqitë që janë bërë ndërmjet familjeve tona veçanërisht
në 30-40 vjetë të shkuara, tani janë rritur nipër e mbesa që po martohen e lindin fëmijë, e kështu gjaku i përbashkët po i
lidh tërë familjet e të dy fshatrave tona të vegjël. A mund të shpërbëhet apo të shpërfillet kjo? Jo! Dhe, shyqyr që është
kështu.
Dhe, së fundi, ja, ne të dy që llafosemi kaq miqësisht, jemi nga të
dy fshatrat dhe nuk na shkon mendja të bëjmë dallim. Po si ne janë të gjithë bijt e bijat e fshatrave tona fqinjë në punëra
në qytete të ndryshme të Shqipërisë e tani edhe jashtë vendit ku punojnë e jetojnë.
Pra, ne e kemi lënë shumë - shumë pas kohën e ndarjes së dikurshme,
pavarësisht nga feja e ndryshme. Gëzohemi që, thellë - thëllë, të gjithë jemi të bindur se "feja e shqiptarit është shqiptaria".
Së fundi, unë do të thosha: E përse të mos vijojnë marrëdhëniet tona
në shtratin e ri të vendosur, kur dihet se fqinjët janë ndihmësit më të afërt, si atëhere kur ska miell ose zjarr shtëpia,
edhe kur në prag vjen luftë - lubia ! Se bota rrotullohet, jeta nuk qëndron në vend...
Hektor Veshi
Doktor i Shkencave
Nr. 8 - qershor, 1998

|
Nimet Mita |
NIMET MITA -
INTELEKTUALI E LUFTËTARI QË NUK DUHET HARRUAR
Lindi në vitin 1905 në Fterrë . U rrit me halle e me vështirësi.I ati,
Feimi, që kishte mbaruar studimet për teologji në Stamboll, e dërgoi Nimetin në Shkollën Tregtare të Vlorës. Pas mbarimit
të shkollës punoi për një kohë sekretar komuneje në Sevaster. Për bindjet e tij revolucionare u shkarkua. Për një kohë punoi
si mësues në fshatin Dushkarak të Vlorës, por edhe këtu u pushua si antizogist.
Bashkë me vëllain, Eshrefin, hapën një dyqan në Gjorm ku trajtonin
artikuj të ndryshëm.
Kur në Vlorë filloi rezistenca e organizuar kundër pushtuesve fashistë,
Nimeti u bë nja nga pjesëmarrësit e saj me aktiv e më entuziast. U përfshi në të gjitha veprimtaritë patriotike që kryheshin
në atë kohë. Bënte propagandë e agjitacion, shpërndante trakte, mori pjesë aktive në manifestime e demonstrata që organizonte
Qarkori i Vlorës. Shtëpia e tyre në Gjorm u bë bazë e rëndësishme e luftës në krahinën e Lumit të Vlorës.
Në fund të muajit dhjetor 1941, ishte i pari Nimet Mita, që në atë
kohë në emër të Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste Shqiptare për Vlorën me anë të Mehmet Kofinës, fshehur në samar të mushkës
për të mos u diktuar nga kontrollet e armikut, dërgoi në Fterrë tek Hiqmet Dusha dhe në Borsh tek Qazim Pali, komunikatat
që i bënin thirrje popullit shqiptar për tu ngritur në rezistencë të armatosur kundër okupatorit fashist.
Nimeti, me pseudonimin "Tregtari", gjatë operacionit fashist të dhjetorit
1942 - janar 1943 të luftës së Gjormit, kapet nga fashistët dhe burgoset në Vlorë. Për mungesë provash lirohet. Kërkohet përsëri
për ta futur në burg, por kalon përfundimisht në ilegalitet.
Në vitin 1943, siç dihet, sidomos në rrethin e Vlorës, zhvillohet një
luftë e ashpër midis dy vijave të klasës politike të asaj kohe. Nimeti thirret nga udheheqia e shtabit të zonës së I- rë operative
Vlorë - Gjirokastër me qendër në Kuç, për të sqaruar përfundimisht qëndrimin e tij. Rrugës për në Kuç e kapin dhe e çojnë
në Ramicë, ku Liri Gega, me të cilën kishte pasë mosmarrëveshje, në mënyrë të padrejtë dhe të pabesë, më 23 nëntor 1943, jep
urdhër për ta eliminuar. Nimeti u cilësua si viktimë, por në fakt ai është dëshmor i lirisë.
Këtu përfundoi jeta e intelektualit të shquar Nimet Mita, njëri prej
bijve më të mirë të Fterrës, luftëtar i orëve të para kundër pushtuesit dhe organizator i luftës nacionalçlirimtare në krahinën
e Vlorës.Ideali i tij ishte lufta kundër okupatorit për çlirimin e atdheut dhe vendosja e demo-kracisë.
Skënder Dusha
Dilaver Shkurti
Nr. 8 - qershor, 1998

SHERIFI - NJERIU I MIRË, FARMACIST I ZOTI
Rritur në vështirësi e varfëri të madhe, mori nga dhimbjet e jetës
dhe tregoi në tërë jetën e tij veti e vyrtite të mahnitshme. Ai në fëmijëri punoi si çirak deri sa pas luftës së Vlorës, dajua
i tij Hasan Hizmua, nëpërmjet vëllamit të tij Rexhep Hito Tatzatin, i cili ishte pronar farmacie në Vlorë, e shpuri si nxënës
në këtë farmaci, ku Sherifi tregoii një sjellje, besnikëri e ndershmëri që rrallë i gjeje në atë kohë.
Kjo bëri që Rexhepi ti hapë një farmaci më vete Sherifit në Ballsh.
Por dhe këtu nuk gëzoi, sepse më 1943 i vranë xhaxhanë, Lazen, në Molisht të Beratit disa kriminelë të vënur nga çifligarët
.
Kështu i rrezikuar Sherifi erdhi në fshat me gjithë fëmijë, me çkish
veshur. Fshati e desh shumë se ish për të dashur dhe e zgjodhi anëtar të këshillit nacionalçlirimtar. U thirr nga qeverria
provizore si i besuar dhe i ndershëm për të rihapur farmacinë në Himarë, ku qëndroi deri në vitin 1949. Me hapjen e farmacisë
në Kuç ai u emrua përgjegjës i saj deri sa doli në pension.
Sherifi ishte me zemër të madhe, bujar e i ndershëm, i besës, shumë
i urtë e i gjykueshëm., Kurrë ndonjëherë sprishi muhabet e su ankua. Bashkë me gruan e mirë të tij Razijenë rritën dhe edukuan
10 fëmijët.
Qazim GJONI
Nr. 8 - qershor, 1998

|
Dasem ne Fterre |
DASMË NË FTERRË
Sipas bisedës me dasmorët
.
Pranvera në Fterrë filloi me dasma.
Më 5 prill 1998 ishte një gëzim i madh për familjen e Avni e Liro Shkurtit. Martohet Edisoni, nje ndër djemtë më të mirë e
të talentuar të fshatit. Ju kujtohet, besoj, historia e tij para disa vjetëve, kur për pak humbi jetën. Por kjo ngeli vetëm
histori. Populli thotë : “Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër”. Dhe Edisoni ishte jetëgjatë.
Shumë farefis, miq e dashamirës i erdhën Avniut në dasëm, se dhe Avniu e Lirua në Fterrë e më tej, veç për të mira
njihen.Nga Tirana vijnë Shana, Dilaveri, Flamuri, Dijenia, Myneveri, Feksori, Meli, Deti, Arjana, nga Sarandës Lulit, Saimirit,
Arjanit me gjithë nuse, e shumë të tjerë që i dhanë një gëzim të veçantë të zotve
të dasmës.
Avniu, sidomos, ishte në hall. Kishte gjithë ata dasmorë.
Kishte fëmijët e farefisin, kishte miq e dashimirës, prandaj gjithëçka duhet të bëhej e organizuar mirë, që nga lajmërimet
për drekën, pjekja e mishrave, kujdesi për të gjithë të ftuarit, që asgjë të mos u mungonte dasmorëve.
Tavolinat ishin të shtruara
plot e përplot, sipas traditës së fshatit me mish të pjekur e raki, bakllava e revani e gjithçka tjetër të nëvojshme. Po Avniu e Lirua kishin merakun, se punët i bënë
djemtë si yje e nuset si flutura, që të pa-
përtuar të gjitha i kishin bërë gati në kohë. Dasma shkoi si
jo më mirë.
Tradita e fshatit vazhdon me dasma me këngë e valle, me bejte të ngritura siç thotë populli “ flakë për flakë”..U
pinë dolli e u ngritën shëndëte jo vetëm për çiftin por edhe për Avniun e Liron e për shumë të tjerë. Tenua, rapsodi i njohur
i fshatit, i kënaqi të gjithë dasmorët. Nuk mbetën mbarapa edhe Stavri, Novruzi, Livani, Neziri, Refati, Kimeti, Tarasi, etj.
Dhe, ashti siç e kanë zakon gjithënjë fteriotët, të bashkuar e të vëllazëruar, erdhi për të uruar gjithë fshati, të
rinj e të reja, e të gjithë me një dëshirë : çifti të trashëgohet! Me shumë nuse të tjera nga Borshi e Kuçi, këtë herë Fterrës
ju shtua edhe një nuse e re nga Fushvërria. Pastë këmbën e mbarë, u plaktë e u trashëgoftë!
Një dasmë e bukur në Fterrë...Jeta vazhdon
me gjithë hallet e saj të
Agron XHAMA
NDËRTIMI I HIDROCENTRALIT
Fshati ynë ka burime shumë. Edhe uji është i bollshëm. Ishin vitet
50. Fshati kërkonte dritë elektrike. Donte të ndërtonte një hidrocentral. Dhe në vitin 1956, me vendim të komitetit ekzekutiv
të kp të rrethit të Vlorës, u vendos që në Fterrë të ndërtohej një hidrocentral. Kryetar i këshillit popullor të fshatit ka
qënë Bastri Dauti dhe sekretar partie Ali Dukagjini. U morën disa specialistë. U shfaqën shumë mendime për ta ndërtuar, ose
në Lumë me ujët e Gjezhdanicës e ta ndërtonim bashkë me Çorrajn, ose te mulliri i Hadushe që mund të shfrytëzonte ujët e Dukëhilave,
ose te Shkalla e Hupit, që të shfrytëzoheshin po këto ujra dhe të Ngurrëzave, ose në Toje. Së fundi u vendos e u ndërtua në
vendin ku është edhe sot me ujët e Ixorit. U ndërtua plotësisht me punë vullnetare të fshatit, me përjashtim të anëve teknike
profesionale. Ndërtimi i hidrocentralit u bë për një kohë shumë të shkurtër. U mobilizuan tërë fshatarët si ata brenda edhe
jashtë fshatit. Nail Bezhani siguroi tubacionet nga Selita në Tiranë dhe transportin e tyre me një shofer të zotë shkodran
të ndërmarrjes "21 dhjetori Tiranë. Nikollë e quanin. Transportimi i tyre u bë për në Fterrë në një rrugë shumë të vështirë.
- U lodhe, i thanë fteriotët, se ke kaluar rrugë të vështirë.
- Jo, tha shoferi trim. Për Nail Bezhanin unë kam borxh të vete në
anë të botës e të mos ndjej lodhje. Këtu shoh një popull punëtor e të dashur. Ndjej kënaqësi të madhe që u ndihmova. Vërtet
disa herë e vura veten në rrezik, se ishte ngarkesë e vështirë dhe rrugë e keqe, por unë erdha shëndosh e mirë se jam nisur
me gjithë dëshirë.
Hidrocentrali u ndërtua. Fterra mori dritë elektrike. Me dritën e këtij
hidrocentrali të vogël jetoi fshati ynë deri sa u lidh me sistemin e plotë të energjetikës së Shqipërisë, pasi u bë i tërë
elektrifikimi i vendit tonë.
Hader Haderi
Nr. 8 - qershor, 1998
Xha HAJDINI
Xha Hajdini ishte bariu i mirënjohur i Fterrës. Ishte i mënçur xha
Hajdini. Me atë shtatin e fortë e me ecjen e tij karakteristike ai rrezatonte bujari e mirësi. Bezhanajt kishin "qinosi" ato
pesë cangadhe me xha Hajdinin dhe në çdo dy ditë shkonim në Rrah apo në Çerrica për të marrë qumështin.
I vodhën kaun e vetëm xha Hajdinit. Në mes të natës kur ngrihet sheh
se dera e lesës ishte hapur dhe kau mungonte. Niset i vetëm natën mbas gjurmëve. Ishte njohës i gjurmëve. Ec e ec dhe ato
e çuan larg në nometë e një fshati fqinj. U afrua. Në dritën e hënës, pa të varur mbi lesë lëkurën e kaut. Kazani ishte akoma
mbi pirosti nga ku vinte një erë e njohur e mishit te zier. Me qetësi preu një copë lëkurë dhe u var poshtë për në kryepleqësinë
e fshatit.
Të nesërmen krahina mori vesh ngjarjen, kusari mori dënimin, kurse
mënçuria e xha Hajdinit mbushi edhe një herë bisedat në vatrat e Fterrës.
Nedim Bezhani
Nr. 8 - qershor, 1998
|