
|
Bajram Sadikaj |
PO, TA RISHKRUAJMË HISTORIKUN E FTERËS
Në numrin e kaluar të gazetës "Fterra jonë" , nga botuesit e saj theksohet sërishmi nevoja për të rishkruar
historikun e Fterrës dhe hapet edhe një rubrikë e posaçme për tu ardhur në ndihmë gjithë atyre fteriotëve që kanë dëshirë
të shfaqin mendime dhe të sjellin të dhëna në interes të çështjes. Botuesit kanë ngacmuar kështu një problem paksa të toleruar
në kohë dhe prandaj nisma e tyre është një ide e vlefshme që meriton të përshëndetet dhe që, përveç ndihmës për të shpejtuar
punën e historikut do të lartësojë edhe nivelin dhe vlerën e vetë gazetës.
Prof. Muzaferi, në shkrimin e tij për këtë problem, ka parashtruar në formë të plotë, deri në detaje, të
gjitha ato motive që flasin në favor të idesë së ribërjes të historikut. Unë, gjithënjë në favor dhe mbështetje të kësaj ideje
do te shtoja se historiku është histori e shkruar e fshatit (e studjuar, argumentuar dhe formuluar). Ai nuk është për një
periudhë të caktuar apo probleme të vetëm historik, si bie fjala për Luftën Antifashiste Nacvionalçlirimtare, por për të gjithë
historinë e njohur, etapat dhe fushat e jetuara. Një historik fshati me 42 fletë të shkruara, siç është ai ekzistuesi ynë,
nuk mund të jetë i nivelit të kërkuar. Sepse, psh, nuk mjafton të përmendet që Fterra, një shekull më parë, cilësohej si fshat
i hoxhëve, por edhe të shpjegosh e vërtetosh këtë me gjithanshmërinë e saj. Ashtu si edhe për faktin tjetër që Fterra gjatë
Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare u bë një bazë dhe gjer në fund të saj nuk ndryshoi qëndrim. Në historik, edhe drejtime
të tjera, në dukje me pak rëndësi, duhet të zenë vendin e tyre, siç janë psh, dukuritë zakonore, në dasma, në morte, në familje,
në lidhjet miqësore, në sektorët e ndryshëm të zhvillimit ekonomik, përvoja e spikatur dhe përfaqësuesit e saj në blegtori,
në pemtari, bletërritje, tregti etj. Historiku, gjithashtu, nuk është një libër me emrat e individve të përmendur, por edhe
pa këta emra nuk mund të jetë historik. Çdo teprim, ekzagjerim, nuk shpreh realisht e saktësisht të vërtetën historike, ashtu
sikurse edhe çdo mohim është varfërim i saj. Ndaj duhet respektuar ekuilibri i kandarit të vlerave, në kuadër të fshatit,
por edhe më gjerë.
Kur jemi në unison për qëllimin dhe motivet, çna mbetet akoma për të bërë? Të rinisim punën më të organizuar,
me bindje e përkushtim, me optimizëm për ta rishkruar historikun. Të gjitha mundësitë dhe potencialet e nevojshme i kemi.
Komisioni disponon materiale ( kujtime, shënime, të dhëna) nga mbi 20 fteriotë, ku spikatin ato që janë edhe më të pasura
të Neim Zanit, Shyqyri Sadikaj, Lame Xhama, Halil Mato, Sinan Ruko, Halil Hizmo, Qazo Gjoni, etj. Ndërkohë, shumë bashkëfshatarë
tek po mundohen të ndërtojnë pemën gjenealogjike të fisit dëshmojnë dëshirën e tyre edhe për historinë e fshatit. Në komisionin
e posaçëm dhe grupet e punës rreth tij përfshihen mbi 50 emra, dhe të tjerë mund të shtohen. Hapat e hedhura gjer tani nga
disa grupe pune, si ai i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, janë për të përgëzuar, etj.
Që të marrë rrugë e të eci problemi, akoma më mirë, duhen vënë në eficensë ca masa organizative. Midis tyre
unë do të përmendja riorganizimin e komisionit e grupeve të punës reth tij. Komisioni aktualisht ka mbetur me 9-të anëtarë,
që konkretisht janë: Safet Memi, Ismet Elezi, Bajram Sadikaj, Naxhi Zhupa, Dilaver Shkurti, Lutfi Dusha, dhe Jashik MaçI.
Kam mendimin se ky numër mund të rritet deri në 13-15 anëtarë, duke kooptuar edhe disa emra të tjerë intelektualë të sipikatur
si Nafiz e Hamlet Bezhani, Jakup Mato, Zeko Braho, Kudret Mita, Vexhi Gjoni, Bardhyl Xhama, të cilët mund të sjellin një mendim
më të gjerë e cilësor. Komisioni, gjithashtu është e nevojshme të hartojë sa me shpejt skemën strukturore të librit të historikut,
sepse kështu do të shpejtohen hulumtimet dhe do të orientohen konkretisht të gjithë fteriotët që kanë dëshirë dhe ndjejnë
detyrimin për të dhënë, nëpërmjet gazetës apo dhe direkt komisionit, të dhëna që ata klasifikojnë si të vlefshme për historikun.
Fterra jonë e dashur, aqë e njohur, e dëgjuar dhe e lartësuar, ashtu siç e ka bërë historinë në jetë, me
veprën e saj, ashtu edhe mund e duhet ta shkruajë atë edhe në letër. Kjo detyrë me rëndësi historike i shtrohet si alternativë
brezit të tanishëm të fteriotëve. Të tjerët që do të vijnë pas nesh le ta plotësojnë, duke shtuar pjesën e tyre.
Bajram SADIKAJ
Nr. 33 - prill 2003

|
Limja dhe Hiqmeti |
SIMBOL I BESNIKËRISË SË PËRJETËSHMË
- kushtuar gruas së rrallë, Limes së veçantë -
- Çdo më thuash për Limen? Prita përgjigje. Por Muzaferit, fjala i
ngeci në fyt. Dy sytë iu mbushën me lotë. Psherëtimë për motrën Lime, që i lagu dhe sytë.
Ishte viti 1922. Bullë Gjulzaja lindi fëmijën e parë, Limen. Dhe po
bullë Gjulzaja e mëkoi me qumështin e gjirit të saj, duke e rritur dhe edukuar me ndjenjën e krenarisë dhe me virtytin e ndershmërisë
njerëzore. Në karakterin e Limes gjeti shtrat ideali i Hiqmetit. Dhe kështu, karakteri dhe ideali tek Limja u bënë një. Njëherazi,
Hiqmeti tek Limja gjeti shpirtin e tij, gjeti bukurinë shpirtërore dhe bukurinë fizike, gjeti atë që donte. Prandaj dhe, të
dy bashkë, u bënë një çift, u bënë një familje e bukur. Hiqmeti mbeti në histori, edhe si mësues, edhe si dëshmor i Luftës
së dytë Botërore, ashtu siç mbeti në historinë e Fterrës dhe të fterjotëve Limja, si simbol i karakterit, si simbol i besnikërisë.
Mund të jetë rast i rrallë, që mbeten symbol, edhe si çift, edhe secili
më vete; edhe sa qenë gjallë, edhe pas vdekjes. Të paktën për Fterrën, mbeten një çift i gjetur, ku u bashkuan të dy llojet
e bukurisë: bukuria shpirtërore dhe bukuria trupore. Siç duket, Zoti i gatoi për tia lënë Fterrës dhe fterjotëve një model
të veçantë.
* * *
Kur Hiqmeti doli partizan me moton:"po lufto, të jeshë i lirë", në
shpirt ndjente gëzim, se pas disa muajsh do të bëhej baba. Por edhe një merak e kishte, se lufta ishte luftëAtëherë Limja
ishte rreth 3 muaj shtatzanë. Hiqmeti ia kishte thënë këtë sihariq Nënës Zenepes. Por dhe Limja ia kishte thënë Nënë Gjulzasë.
Ndaj Bullë Gjulzaja, e vajtoi me ligje Hiqmetin: "Ti e le Limen me barrë, Hiqmet a e zeza,/ por sarrite për ta parë, Hiqmet
a e zeza"
E ndërsa Gjulzaja vajtonte kështu Hiqmetin, zakoni e donte që të bijës,
Limes, Dushajt ti thoshnin: Po të duash, ktheu në korkutaj. Mirpo Limja u përgjigj me vendosmëri: Jo dhe jo! Hiqmeti më ka
lënë me një të Dushaj në bark. Ateherë, ia ktheu Mehmeti,- Ti, këtu e tutje, do të jeshë motra jonë.
Ishin vite lufte. Ishte operacioni i dimrit 1943-44. Ishte 27 janar1944.
Limja ishte në muajin e 9-të. Tashme kishte vajtur për të lindur atje ku i kishte rënë koka. Por atë ditë ne Fterrë erdhën
gjermano-ballistët.
- Ti Lime, sonte,- i tha e jëma, Gjulzaja,- do të zbresësh në Lonaj,
se këtu buzë xhades, ku është shtëpia jone, ka rrezik të na vijnë ballistët.
Dhe Limja atë natë zbriti në një konak në Lonaj. Këtu e zunë dhimbjet
e lindjes.Dhe këtu lindi biri i Hiqmetit, djali i dushajve, që i vunë dhe emrin: Dusho. Në mëngjez, kur ra dielli, me djalin
në duar u kthye në shtëpi. Mirpo, këtu, paskej ardhur, vetë Idriz Jazua, i njohur si eksponent i Ballit. Idrizi, duke pirë
kafen e zakonit, dëgjoi të qarat e një bebeje nga dhoma tjetër.
- Po ky, mos është këlyshi i Atij ?
- Është djalë,-ia priti e zonja e shtëpisë duke ngritur tonin e zërit,
si për ti thënë se nuk ishte ashtu si tha z.Idriz.
Atëhere, Idrizi, si për të korigjuar fajin, nxorri nga xhepi nje monedhë
dhe daroviti, duke e vënë në filxhanin e kafesë, siç e donte zakoni.
Ndërkaq, Limja që kishte dëgjuar këtë bisedë, hyri në dhomë. Dhe, pa
i thënë asnjë fjalë, mori monedhën nga tabakaja e filxhanit dhe ia vërviti përpara syve ne vatrën e zjarrit, duke i thënë:
Djali i Hiqmetit, nuk pranon monedha nga një këlysh i pushtuesve!.
Dhe pas këtij çasti, me djalin në gji, u ngrit e iku për tek Nënë Hadilekua.
Por edhe këtu nuk mundi të qendroje, se ishin kohë të vështira. Kohë lufte. Atëhere, Limja, me foshnjën në dorë, mori rrugën
për të dalë jashte fshatit. Dhe shkoi në Gjishtire, tek hauri ku banonte familja e Himet Maçit
- Bujrum !,- i tha xha Himeti. Dhe menjëhërë i foli gruas: Ngreu grua,
se ka ardhë Limja e Hiqmetit. Dhe, bullë Hasifeja, që ishte lehonë për vetë, me fëmijën e saj, Harunin, u çua dhe e uli Limen,
në dyshekun e saj, duke i uruar: i hairit dhe të të rrojë djali i Hiqmetit! Këtu, Limja ndënji disa ditë, deri sa me gjithë
fshatin, kur erdhi gjermani, u ngjitën sipër në mal.
* * *
Limen, viti 1945 e gjeti në Tiranë. Jeta e detyroi të fillonte punë
në Pastiçerinë që kishte atëherë Tirana. Duart e saj hollonin 20 petë njëherazi. Ishte profesioni që i kishte dhënë Nënë Gjulzaja
në Fterrë. Fterra ishte e permendur për gatimin e samësave (bakllavës). Punën e fillonte që në orën 04 të mëngjezit. Dhe merrtë
rrogë mujore 4500 lekë të asaj kohe. Punonte mes arrëve të qëruara, por nuk solli, qofte dhë një herë, asnjë thelb arre në
shtëpi,- tregon, me lot në sy, i biri, Dushua. Me këtë pastërti punoi Limja vite të tëra në punishten e ëmbëlsirave në Tiranë.
E po kështu punoi dhe në Piterinë e Vlorës, në vitet 1967-77, kur shkoi pas djalit, që iu emërua prokuror në këtë rreth.
Kur Limja ishte kryetare e komisionit të strehimit në lagje në Tiranë,
djalin e kishte të vogël dhe nuk bëri përpjekje, se kishte të tjerë më keq. Por vitet kaluan. Dushua tashmë, ishte student
në vitin e trete juridik. Ndaj tani Limja kërkonte shtëpi, se nuk mund të jetonte më në një dhomë 3/3 tek kunati i saj. Por
ai, i strehimit në Tiranë, jo vetëm nuk i zgjidhi problemin, por e priti dhe keq. Atëhere Limja i bëri dy gisht letër Haki
Toskës, në udhëheqjen e lartë të shtetit. Dhe Hakiu, që e kishte njohur vetë Hiqmetin, dha urdhër që Limja të merrte shtëpi
për 24 orë.
Ishin vitet 1956-57. I duhej të vazhdonte shkollën 7-vjeçare. U rregjistrua
në "Kongresi i Përmetit", se në ketë shkollë kishte dhe djalin, Dushon e vetëm, dritën e syrit. Djali i saj, Dushua, shkonte
në mësim para dite, Nëna e tij, Limja, mbasdite. Njeherësh, nënë e bir, në të njëjtin vit, mbaruan 7 vjeçaren. Nëna gëzonte
për djalin, djali gëzonte për Nënën. Rrallë kërkonte ndonjë ndihmë, se kishte sedër. Ndihmomë për hartimin,- i tha njëhërë
Muzos. Dhe kur Muzua u ul tia shkruante, Limja i tha: unë nuk dua të më bësh ti hartimin, por dua vetëm të më ndihmosh. Ndryshe
Limja, kjo grua pa llafe, gjithë jetën e saj, diti të nderojë e respektojë
kunetërit: Mehmetin, Bilalin e Lutfiun, dhe kunatat: Xhanen, Lemanen-motër e Anijen, dhe tërë dushajt. Donte si motër Adelinën
e Muzos. Donte si bijë të saj, Letën, nusen e djalit, e cila I shërbeu si të ishte nëna e saj,Zalika. Kështu deshi tërë Fterrën,
duke i bërë nder e respekt Hiqmetit, edhe pas rënies së tij, më 30 gusht 1943 në Libohovë, e gjer 10 korrik 1988, kur Limja
ndërroi jetë. Prandaj, të gjithë fterjotët, Limen e paten, edhe Lime, por edhe në vend të Hiqmetit.
Me nder e dinjitet një jetë të tërë. Kështu e ka njohur fshat e fqinjë.
Madje shëmbullin e Limes e ka njohur dhe Kurveleshi, dhe Saranda, dhe Vlora, dhe Tirana.,dhesa e sa te tjerë. Eshtë njohur
si grua simbol, si një grua që diti të mbajë besën e gruas labe, që diti të jetojë me kujtimin e atij që dashuroi që në rinine
e herëshme te saj, duke ruajtur të pastër veten dhe idealin e Hiqmetit, duke u kthyer në vlerë për çdo fterjot, për çdo njeri.
Guro ZENELI
Nr. 33 - prill 2003

|
Ing. Islam Zhupa |
ÇTË TË THEM TJETËR?
MË KA MARRË MALLI PËR FTERRËN
- në 34 vjet inxhinier- mbi 60 studime e projekte inxhinierike -
Pyetje: z. Islam, ju kini lindur e rritur në Fterrë. Edhe shkollën 7-vjeçare e mbaruat
po duke qënë në Fterrë. Si mundët të shkëputeni prej saj?
- Ne kushtet e jeteses qe bente familja ime, kur une isha i vogel,
ne Fterre e në Galisht, ishte vështirë të të lindte mendimi per arsimim te mesem, për më tepër të larte. Por unë i jam mirënjohës
gjyshe Xhekos, që më nxiste, duke bërë here pas here krahasime me shumë djem te fshatit, te larguar e te arsimuar.
Unë jam me brezin e të rinjve të Fterrës, që filluam shkollën 7-vjeçare,
jo më në Kuç, por në Çorraj. Nga Fterra ne Çorraj shkonim e vinim çdo dite me kembe. Kushtet e terrenit dhe veçanërisht dimri
ishin të vështira. Ne kujtesen time nuk harrohen rastet kur ne shkolle shkonim te lagur nga shiu dhe të lagur rrinim gati
gjithe diten, duke u tharë në trup. Shpesh, nenat çorrjote te lagjes së poshtëme, na kthenin ne shtepite e tyre per tu tharë
e për të pirë diçka të ngrohtë. Kjo sherbeu, si një shkollë tjeter ne jete për të forcuar vullnetin dhe këmbënguljen për të
mësuar më shumë.
Mbarova shkollën 7-vjeçare ne vitin ´58-të. Formimi i kooperativës
bujqesore kufizoi shume largimin e të rinjëve nga fshati. Edhe te drejtat e studimeve u kufizuan. Megjithatë, përfitova një
të drejtë studimi për në shkollën 2-vjeçare të rezervave te punës në Vlorë. Më dukej se kisha prirje profesionale. Babai im,
Zoto ishte një mjeshtër në përpunimin e drurit.
Mosha ime e vogel dhe kushtet qe gjeta në atë shkollë, me bene pesimist,
deri sa shpesh mendoja të ikja fare nga shkolla. Në atë moment delikat mu gjënd si me porosi, xhaxhai im, Sihati, officer
në atë kohë në Vlorë. Kështu, une iu përvesha mësimit që të dilja nje nga nxensit me te mire te shkolles. Kjo bëri që Ministria
e Ndertimit dhe Shkolla te më përzgjidhnin mua per te vazhduar shkollen e mesme per Teknik Ndertimi ne Tirane. Në këtë shkollë
më lindi dëshira për tu bërë inxhinier.
Pyetje: Po pasi mbaruat studimet për inxhinier në universitetin e Tiranës,
si u zhvillua jeta juaj?
- Ne vartesi edhe te rezultateve te arritura nga mbarimi i Fakultetit
ne 1969, u emrova në një nga qendrat me te rendesishme studimore dhe projektuese te kohes, siç ishte Instituti Shtetror i
Studimeve dhe Projektimeve ne Tirane. Më vonë, me krijimin e Institutit të Studimeve dhe Projektimeve te Hidrocentraleve,(
sot Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Hidroteknike ), më takoi të punoj në këtë institut. Profesionin tim e kam dashuruar.
Prandaj kam punuar me pasjon dhe me përgjegjësi të përherëshme. Kryesisht kam punuar ne inxhinjerine e ndertimit, ne fushen
e studimeve dhe projektimeve te hidrocentraleve. Kam bërë shumë studime si autor kryesor në hidroenergjetikë, si bie fjala:
Parashikimi dhe studimi i hidrocentraleve qe mund te ndertohen mbi lumin Vjose, Devoll, Osum etj.Disa hidrocentrale te tjere
jane ne fazen e projekt-ideve, qe presin investime. Kam qënë projektues ne hidrocentralet: Fierz, Koman, Banje, Bushat, Bovillë,
Bogova, Gjanç, e deri ne projekte modifikuese si psh. për hidrocentralin e Smokthines etj. Kam hartuar dhe projekte te tjera
konstruktive per objekte civile dhe shoqerore si: rruge, ujësjellës, mbrojtje lumenjesh, banesa,etj. sidomos ne ndertim e
hidroteknikë. Njëherazi, kam qënë dhe përgjegjës i sektorit të studimeve perspëktive të institutit, që prej krijimit të tij,
duke kryer detyrën si përgjegjës, si kryespecialist apo si kryeinxhinjer i Institutit te Studimeve dhe Projektimeve Hidroteknike(
I.S.P.H.).
Pyetje: Në kushtet e një pune intensive dhe të jetës në Tiranë, si
i kini mbajtur lidhjet me Fterrën dhe fterjotët?
- Megjithese ka rreth 45 vjet qe nuk banoj ne Fterre, lidhja ime nuk
eshte nderprere. Kjo sepse Fterra është vëndlindja ime, por edhe se atje kam patur njerëzit e familjes, prinderit dhe vellezerit
dhe njerëz nga fisi im. Këtë lidhje ma ka nxitur dhe gruaja ime, Hanushja, me origjinë nga Gjirokastra, e cila me ka respektuar
jo vetëm mua, por dhe fisin e të gjithë fterjotët. Kjo ka bere qe te shkojmë bashkë në Fterrë dhe në gëzime dhe në hidhërime.
Dhe këtë rrugë e kemi bërë të 34 vjetët e martesës sonë, së bashku me dy fëmijtë tanë, Ledinën dhe Andin. Ledina është mësuese
e edukimit fizik dhe bashkë me familjen e saj jeton e punon në Itali. Ndërsa djali është student në inxhinieri elektrike.
Veçanërisht djali ka patur dëshirë të veçantë për të shkuar dhe në stane e deri në Galisht, Gurrë, etj. Tani në Fterrë kam
Nënë Xhevon, vëllain Sulo me Mison. Vëllanë tjetër, Flamurin, me familjen e tij, e kam në Sarandë. Ndërsa, motra Fatmira,
është këtu në Tiranë.
Pyetje: Si mund ti komentoni këto lidhje kaq të ngushta nga gjithë
familja juaj?
- Ne ndergjegjjen
time kane lene gjurme te thelle hallet e familjes tone ne Fterre. Njëherazi, prindërit, Zotua e Xhevua, na kanë rritur me
vështirësi, por na kanë edukuar që të sigurojme dhe jetesën më djersën tonë. Këtu ka ndikuar dhe një faktor tjetër. Në familjen
tone per shume vjete ka patur dhe fatkeqesi të rënda, siç kanë qënë: vdekja e tre vellezerve: Mahmutit, Illos dhe, se fundi,
Diktimit, që na kanë pikëlluar. Këtu dua të kujtoj dhe vdekjen e babait tonë të dashur, Zotos, që vdiq parakohe, aksidentalisht.
Nuk mund të harrojmë humbjen e madhe që kane patur gruaja e Yllos, Moza, me dy vajzat dhe gruaja e Diktimit, Çaparja me dy
vajzat, qe kanë mbetur jetimë. Dhëmbja e plagët e Nënë Xhevos, dhe psherëtimat e lotët e saj, nuk kanë të treguar.
Pyetja: Duke qënë kaq të lidhur,
a kini ndonjë merak për Fterrën tonë?
- Unë kam përshtypjen, kush më shume e kush më pak, të gjithë fterjotët
kanë merak për problemet që ka aktualisht Fterra. Edhe unë, si bir i Fterrës, herë pas here, kam bërë diçka për të. Kështu
në vitin 1972 bëra projektin e ujësjellësit të Fterrës, me marrje nga Ngurrëza. Bashke me Kadastrën e rrethit Sarandë, po
në ato vite, punova për planin rregullues te Fterres. Duke punuar dhe në seksionin e ndertin-komunikacionit te Sarandës, kam
bërë dhe projekte të disa segmenteve të rrugës Borsh-Fterrë-Kuç, ku, protagonisti kryesor i saj, ka qene Refik Bezhani. Deshire
te veçante kam patur qe, ne Fterre te ndertohej nje hidrocentral. Ndaj ne vitin 1975 hartova nje projekt per te shfrytezuar
ujrat e Gjezhdanices dhe te Ngurrezes me ane te nje hidrocentrali ne lumrat e Maçe, që si dhe investime te tjera, edhe ky
ngeli pa u realizuar. Dua të nenvizoj se, per kushtet e sotme, per investitoret vendas, eshte me leverdi te merret me konçension
Hidrocentrali i Fterres, të cilin e favorizon.dhe ligji i shtetit.
Aktualisht, ne kushtet e ekonomise se tregut dhe te zhvillimit te turizmit,
eshte jetik asfaltimi i rruges automobilistike Borsh-Fterre. Ky është preokupimi më i madh i të gjithë ne fterjotëve dhe detyrim
i pushtetit vendor. Prandaj, kohët e fundit jam përpjekur dhe kam bërë një studim-projekt për xhaden Borsh-Fterrë, i cili
po të gjëjë zbatim, do të jetë një shpëtim për ekzistencën e Fterrës dhe lidhjen e fterjotëve me vendlindjen tonë. Edhe qendra
e fshatit gjithashtu ngelet nje projekt i parealizuar. Shpresoj dhe besoj se në mos shpejt, vonë, ky zhvillim do të vijë.
Kjo varet dhe nga përpjkjet që mund të bëjmë dhe nga mundësitë që kemi.
Çtë të them tjetër? Më ka marrë malli për Fterrën.
- Ju faleminderit.
Intervistoi Guro ZENELI
Nr. 33 - prill 2003

|
Guro Zeneli dhe Jakup Mato |
NA VAFTË MBARË
- Le te bisedojme për HISTORIKUN e Fterrës sonë.-
- Në kafen ku mblidhet gati përditë komuniteti fteriot në Tiranë, shpesh
është biseduar për ngjarje të historisë së fshatit. Por, pas artikullit të Muzafer Korkutit, botuar në numurin e kaluar të
gazetës "Fterra jonë", gjithnjë e më shumë po bisedohet për të rishkruar historikun e Fterrës. Mendimet dukey se janë të larmishme,
por, besoj se të gjithë janë që historiku duhet rishkruar, plotësuar e saktësuar. Në këtë numër të gazetës po botojmë intervistën
me prof. Jakup Maton -.
Pyetje: Tashmë që kemi hyrë në mijëvjeçarin e ri, a nuk është e nevojshme
ta rishikojmë Historikun e fshatit tonë, Fterrës ?
- E kemi biseduar
disa herë këtë çështje dhe janë shprehur argumenta të shumta se Historiku i fshatit duhet rishkruar. Në numrin e kluar të
gazetës "Fterra jonë" Muzaferi i paraqiti mirë arsyet pse duhet ribërë ky historik.
Së pari ka kaluar një kohë mjaft e gjatë, mbi tridhjetë vjet, që nga
koha kur u shkrua.
Së dyti, ai historik, me vlera të rëndësishme, gjithsesi u shkrua nën
trysninë e kërkesave ideologjike dhe metodologjike të kohës. Në kushtet e sotme të ndryshimeve demokratike, ka mundësi të
vlerësohen më saktë dhe objektivizëm disa ngjarje, figura ose të dhëna.
Së treti, gjatë kohës janë nxjerrë në dritë të dhëna interesante, që
i kemi vënë re në shkrimet e botuara në gazetën "Fterra jonë."
Dhe së fundi, një grup intelektualsh bashkëfshatarë kanë fituar një
përvojë të mirë, që japin garanci të bëjmë një Historik që të përfaqësojë vërtet vlerat materiale, kulturore e shpirtërore
të fshatit .Këtu duhet përmendur edhe diçka tjetër, që disa bashkëfshatarë kanë shkruar ose po shkruajnë edhe pjesë të veçanta
të jetës së fshatit, si jeta e dëshmorëve, ushtarakëve, arsimtarëve etj.
Pyetje: Çfarë duhet të jepet në këtë historic, dhe cilat mund të jenë,
sipas jush, momentet kulmore që mund të pasqyrohen?
- Pyetja më duket
interesante. Ka shumë çështje që duhen diskutuar më parë. Nuk mendoj se problem paraqesin vetëm momentet kulmore. Gabimi më
i madh që mund të bëjmë është të shkruajmë një Historik të thatë, me data e ngjarje, sipas disa modeleve të njohura të botimeve
historike. Historia e fshatit mendoj se duhet shkruar disi ndryshe. Të gjendet mënyra që të jepet jeta e gjallë, por me vërtetësi.
Për këtë arsye do zënë vend edhe ngjarje domethënëse, por që mund të mos përbëjnë "ngjarje historike". Ato që i vlerësojmë
si vlera të çmuara të fshatit janë njëmendësuar me vështirësi, me ndeshje mendimesh, me pengesa. E rëndësishme ka qenë që
në fund ka zotëruar zgjidhja më e mënçur, më progresive.
Në historik mund të jepet se rrugën e arsimit e nisëm dhe e vijuam
me vështirësi të mëdha, se anën e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare fshatarët e morën, pas një punë këmbëngulëse të
disa idealistëve dhe njerëzve të mençur, se virtytet morale që karakterizojnë bashkëfshatarët, u rrënjosën nga kërkesat rigoroze
të të parëve tanë të burrave të mençur, e shumë të tjera. E kështu me radhë.Pra, jo vetëm të thuhet ç'u bë, por edhe si u
bë me vështirësi dhe kush dha ndihmesë të veçantë.
Edhe diçka tjetër: të flasim për njerëzit e shkolluar, por të mos harrojmë
edhe ata barinj të sakrificës, që mbajtën me bulmet bashkëfshatarët, edhe atë që u shqua si bletërritës, apo ata që u përpoq
për xhadenë me një pasion të veçantë. Historikun e përbëjnë të gjithë, prandaj t'u jepet vendi njerëzve të prodhimit, dhe
atyre që kanë mbajtur e po mbajnë fshatin gjallë sot.
Mendoj që fshati është shumë më i lashtë se dokumenti i vitit 1431.
Këtë e provojnë emrat karakteristikë shqiptarë të kulturs kristiane, si Llesh, Gjon, Hil, Nik, Gjozenik ( për mua një bashkim:
Gjon, Zef, Nik). Po ashtu toponomastika sllave provon se fshati ka qenë i banuar heret në mesjetë. Pra, disa çështje do të
ndriçohen në mënyrë të tërthortë. Për rreth Fterrës ka patur edhe fshatra të tjerë, sqë i përmend studiuesi Kolë Luka; këta
janë Koma, Bagadule etj.
Pyetje: Do të ndjekim kronologjinë në historik, apo gjykoni se mund
të përdoret edhe ndonjë formë tjetër, si bie fjala një tematikë problemesh?
- Deri sa bëjmë fjalë për historik, do ndjekim kronologjinë. Por në
çdo periudhë do të bëhet fjalë edhe për çështjet e tjera. Kështu, kur flitet për vitet tridhjet, do bëhet fjalë për arsimin,
mësuesit e kohës, ata që mësonin në qytete të tjera, madje diçka edhe për nxënësit. Për valët e përgatitjes së mësuesve, inxhinjerëve,
mjekëve të flitet sipas momenteve. Kështu gjendet rasti që për figura të rëndësishme të flitet edhe diçka për ndihmesën e
tyre në shkallë kombëtare. Po kështu të përfshihen edhe "valët" e lëvizjeve së popullatës drejt qyteteve dhe drejt botës,
që të kohës së Turqisë, duke i dhënë edhe me emrat e familjeve, që të ngelen në historik. Në punë e sipër mund të lindë nevoja
që për një çështje të përfshihet një nyjë e veçantë, që shtjellon një problematikë të caktuar.
Pyetje: Sa kohë mund të duhej për ta përfunduar dhe kush mund të merret
me këtë detyrë?
- E rëndësishme është
të bëjmë një historik të mirë, me të dhëna e fakte të sakta, por edhe të shkruar bukur, që të lexohet me ëndje jo vetëm nga
fterjotët, por nga kushdo që mund ta marrë. Prandaj, e quaj të nevojshme që më parë t'u bëhet thirrje bashkëfshatarëve të
dërgojnë kujtimet e tyre. Natyrisht që do të ketë një "redaksi", por mendoj se materialin duhet ta parashtrojë njeri, i cili
të shfrytëzojë historikun e mëparshëm, pjesë me vlerë të botuara në gazetën "Fterra jonë". Por redaksia mund të porosisë të
shkruhen pjesë të tjera, për të cilat ndjehen zbrazëti. Historinë e shkruajnë historianët, apo intelektualë që kanë përvojë
e penë. Dëshmitarët e ngjarjeve dhe të kohëve të japin kujtimet. Mund të shkruhet edhe duke punuar shumë njerëz, secili për
një pjesë. Por, përsëri do të punojë një "redaksi" dhe veçanërisht "një kryeredaktor" mbi to. Puna për historikun e mëparshëm
dhe për gazetën "Fterra jonë" ka treguar edhe cilët i kanë aftësitë më të spikatura për një detyrë të tillë. Mjafton që të
ketë predispozicionin dhe, sidomos kohën e nevojshme për një angazhim të tillë të rëndësishëm.
Pyetje: Ju jeni professor dhe njohës i mirë i Fterrës. Cili do të ishte ndihmesa juaj për hartimin e këtij historiku?
- Mendoj se mund të shkruaj pjesë të veçanta për traditat folklorike
të fshatit, për shkrimtarët, ose artistët e Fterrës, që nuk janë pak, apo dhe ndonjë pjesë tjetër që do më kërkohej nga hartuesit.
Mendoj se zakonet, qofshin të dasmës dhe të mortit, doket, çështje të etnografisë etj., mirë do të ishte, të zënë një vend
të duhur.
Duke përfunduar, theksoj, edhe një here, rëndësinë e të shkruarit bukur
të një historiku të këndshëm. Por, së pari, le ta nisim këtë punë me vlerë. Na vaftë mbarë!
Intervistoi: Guro ZENELI
Nr. 33 - prill 2003

|
Dante Dusha |
EDHE ME PILOTË, KRENOHET FTERRA JONË
Shpesh na rastis që në biseda të ndryshme shfaqet simpati për Fterrën tonë si fshat
arsimdashës, si fshat që ka nxjerrë shumë mësues dhe, jo pak, mjek, juristë, inxhinierë, ekonomiste, krijues në art, kulturë,
letërsi, si dhe jo pak nëpunës në të gjitha nivelet e shtetit.
- Edhe luftetarë nuk kemi patur pak,- ia ndërpreva fjalën veteranit nga Ramica, kur
më tha se, - "Ju fterjotët, për hoxhe e mesues kini qënë".
- Jo, jo,- u pergjigj ai. Bëra shaka, se unë e njoh mire Fterrën që në kohën e Luftës
antifashiste. Unë kam qënë partizan në Fterrën tuaj. Prandaj e kujtoj me dhëmshuri. Ja, e shikon këmbën time, këtu ? Këtë
plagë e kam marrë në betejë me fterjotët kundër nazistëve gjermanë. Pasi u zhvillua luftë e ashpër, forcat partizane kaluam
Qafën e Rrëmullës. Nuk e harroj atë ditë dimri, kur kishte rënë dhe një brymë debore e suferina të priste në fytyrë. E kaluam
Qafën të zënë dorë për dore. Ne stanet e Galishtit na pritën si vëllëz e si djem. Edhe roje nate bënë çobanët fterjotë. Më
vjen keq që nuk mbaj mënd ndonjë emër. Po ku e kishim ne mëndjën se si të quajnë ty e si më quajne mua. Ne e kishim mëndjen
vetëm të luftonim për lirinë e Atdheut.
Dhe biseda me veteranin nga Ramica vazhdoi gjatë. Përmendëm dëshmorët e Fterrës,
partizanët fterjotë në disa brigada, madje dhe 50 burrat fterjotë të Luftës së Vlorës. Edhe Lazo Kofinën e parë të Kryengritjes
së Tanzimatit. Edhe "Islam Fterra armë larë,/çu vra në uxhum të parë,/", në luftën e Lëkurësit më 1878, edhe
- Por ama pilotë,- desh të më kaptë "mat",- nuk kini.
- Edhe njerëz të qiellit kemi, madje të shquar. Sigurisht, kur Shqipëria
u bë me avionë. Fterra ka nxjerrë jo një por pesë pilotë. Dhe për Fterrën tonë të vogël, nuk janë pak. Madje do të shtoja
se kanë mbaruar studime dhe jashtë shtetit. I pari është Skënder Dusha, që shkoi ne Bashkimin Sovjetik, ku u diplomua për
inxhiniero-teknik aviacioni. Dhe tërë jetën ia kushtoi këtij profesioni, aqë sa e thërrasin: "pionier i aviacionit". Edhe
vëllai i tij, Dantja për aviacionion është diplomuar, që pilotonte me mjeshtëri tërë tipat e avionit që ishin në Shqipëri.
Ndër të rinjtë, më vovë, u dallua edhe Bujar Brinja, djali i Nazmiut. Bujari ka pilotuar avionë të tipave mig. 15,17,19 dhe
21. Edhe i biri i Fuat Brinjës, Bardhyli, pilot i dalluar është, sepse pilotonte me guxim e zgjuarsi. Madje, ne kemi dhe nipër
të tillë. Një prej tyre është piloti i aftë, Vilson Rusi.
Ja pra, dhe pilotë ka nxjerrë Fterra jonë. Nuk ka degë të jetës
që të mos ketë e të mos shquhen fterjote. Edhe me pilote, krenohemi.
Naxhi SHKURTI
Nr. 33 - prill 2003

|
Kopertina e Librit |
E DREJTA ZAKONORE E LABËRISË,
SHPREHJE E MËNÇURISË POPULLORE DHE VLERAVE ETIKO-MORALE
- rreth librit të prof. Ismet Elezit "E drejta zakonore e Labërisë -
Me librin "E drejta zakonore e Labërisë", prof. Ismet Elezi, është
futur në thellësi të historisë, kur Shqipëria nuk kishte as shtet, kur nuk kishte as ligje dhe kur, kryesisht, zonat malore,
në Jug e në Veri, qeveriseshin në "venome", të cilat gëzonin të drejta të veçanta e privilegje të caktuara. Pikërisht në këto
kushte, autori, në këtë libër shpjegon se lebërit e zgjuar, ndjenë nevojën
e gjetjes së asaj që i bashkonte e i lidhte për të bërë një jëtë normale, në kushtet e asaj kohe, duke formuluar norma
zakonore, sigurisht të pashkruara, të cilat i pranuan, si rregulla detyruese për
banorët e fshatit, madje të gjithë krahinës.
Autori, duke studjuar
e skeduar, për më shumë se 25 vjet, literaturën që ka për Labërinë, në arkivin e Shtetit, në arkivin etnografik të Institutit
të Kulturës Popullore dhe në arkivin e Historisë, duke eksploruar me ekspedita mbi 10 vjet në 15 fshatrat e
Kurveleshit, si zemra e Labërisë, si dhe jo pak fshatra të tjera të kësaj treve, ka ditur të vjelë mendime e përvojë,
që nga i Ati i tij, xha Tahsini i mënçur në Fterrë, e gjer te normat zakonore, që iu veshën Papa Zhulit, që ka jetuar në Zhulat
rreth viteve 1481, si dhe tek shartet e Idriz Sulit, një burrë zakoni i Labërisë jugore, në shekullin e 19-të, e deri te njerëz
të tjerë të mënçur anonimë, të jo pak fshatrave të Labërisë. Njëherazi,me aftësinë e seleksionimit shkencor, ka arritur
të japë një thesar mençurie dhe një pasuri të vlerave etiko-morale, që kanë qënë në bazë të mënyrës së jetesës
së vetë Labërisë në shekuj me radhe, te cilat kanë shërbyer dhe si një motiv i brendshëm shpirtëror për të mos
iu nënshtruar sunduesit të huaj, motiv që e ka bërë Labërinë të jetë një vatër dominante në historinë shekullore
të Shqipërisë.
Pavarësisht se prof. Elezi, në këtë studim, përfshin kryesisht periudhën
e shekullit të 19-të e deri në çerekun e parë të shekullit të 20-të, mendimi përgjithësues i tij është shtrirë në një kohë
pa kufi, duke notuar, horizontalisht e vertikalisht, deri në mbetjet e marrëdhënieve fisnore e patriarkale e duke u përqëndruar
në mbi 100 vjet të shekullit të 19-të e të fillimit të shekullit që sapo lam pas. Vlerë e madhe është se, jo vetëm
është i pari autor, që zbuloi emëruesin e përbashkët, të pashkruar, të mënyrës së jetesës, brez pas brezi
e në breza me radhë: në Kurvelesh, Himarë - Bregdet, Lumi i Vlorës, Rrëza e Tepelenës dhe në Rrëzomën e Delvinës, por krahas
kësaj na jep dhe kulturën e jetës në atë zonë e në atë kohë, duke vënë në themel të saj, atë që e cilëson "E
drejta zakonore e Labërisë", duke gjetur dhe rrënjët e kësaj të drejte zakonore, në dy burime kryesore: së pari,
në mënçurinë popullore e në zgjuarsinë natyrale të Labit, dhe së dyti, në Vlerat etiko-morale, po të Labit, në
konceptin gjeografik e historik të Labërisë, si krahinë e madhe.
Po cila është e ku duket kjo mënçuri, dhe këto vlera etiko-morale,
që kur i lexon në ketë libër, të çojnë mendimin në një periudhë të thellë në Labëri?
Vetë e drejta zakonore është produkt i mënçurisë së burrave të zakonit
e lebërve mëndjëhollë për të jetuar në normalitetin e kohës. Kjo mënçuri në këtë krahinës përmban mendësinë labe,
që duket në mëndjen "femër" e në zgjuarsinë natyrale, si dhe në këshillën e matur të burrave të Labërisë, të cilën pleqtë
e urtë e kanë treguar: në kuvende, në pleqësitë e fshatit a të krahinës, në pjesëmarrjen aktive të tyre, në gjykime të problemeve
konkrete, në vendime e në marrëveshje të pashkruara, ku formuloheshin sentenca, të cilat ktheheshin në norma të detyrueshme
në fshat e deri në krahinë. Burimet e kësaj mënçurie, autori, i ka parë, kryesisht në marrëdhëniet familjare e martesore,
organizimin shoqëror, të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e trashgimnisë, si dhe në probleme të tjera të jetës në Labëri.
Pra, themeli mbi të cilën është ngritur e drejta zakonore e
Labërisë është, së pari, mënçuria popullore, ose e thënë ndryshe, mendësia labe. Dhe së dyti, e drejta zakonore
e Labërisë është njëherazi shprehje e vlerave etiko-morale të vetë popullit të Labërisë. Kështu, Nderi, në të drejtën
zakonore të Labërisë, sipas këtij studimi shkencor, ishte vlerë dhe virtyt i lartë vetiak e familjar, por dhe shoqëror,
duke pasur një kuptim të gjërë, e jo vetëm kur cenohej nderi familjar, por përfshinte dhe momentin: kur pështyhej, apo kur
qëllohej me pëllëmbë a me shkop para të tjerëve, kur akuzohej si gënjeshtar a si shpifës, kur shkelte fjalën e dhënë, si edhe
kur tradhëtonte mikun në shtëpi apo kur i merrte armën, e tjera.
Virtyti i nderit,
shprehej në normën se "çdo njeri ka nderin e vet", se "askush nuk mund të preket në nder", që historikisht, siç shkruan autori
në këtë libër: "ka patur një fuqi të pazakontë". Aqë shume është çmuar "nderi" , sa kjo fjalë ka hyrë dhe në rrënjën e fjalës
magjike: "Faleminderit", e formuar nga ngjitja, që nuk shqitet, e dy fjalëve: fal+nder, me kuptim reciprok, dmth edhe
unë të falem me nderin tim ty, ashtu si dhe ti, më falesh me nderin tënd mua, semantikë që nuk e gjën të paktën as tek latinishtja
e as tek greqishtja e lashte, apo dhe në gjuhët e sotme: të anglishtes e frengjishtes, të gjermanishtes e italishtes, apo
të rusishtes, pa e parë më tej në gjuhë të tjera. (Krahasoni, ju lutem, për një çast në mëndjen tuaj etimologjinë semantike
të fjalës: faleminderit, me: thanks, merci, danke, grazie, spasiva). Aqë shumë e ka çmuar këtë virtyt ky popull, sa
që, dhe urimin më të preferuar ka patur:"shëndet e nder!" dhe betimin me te forte,"për nder", apo "fjalën e
nderit", gjë që shprehej dhe në sentencën: "Më mirë i vdekur e me nder, se sa i gjallë e pa nder".
Prandaj autori, konkludon se: "Nderi dhe dinjiteti personal për
malësorët, në Veri e në Jug, kudo ku jeton e banon shqiptari, është mbi të gjitha ndër vlerat më të larta shoqërore.
Këto veti psiqike, nënvizon prof. Ismet Elezi, e dallojnë atë nga popujt e tjerë" (f. 33). Edhe për Jani Vreton,
siç citon prof. Elezi: "nderi është më e vyera gjë". Prandaj, dhe në Labëri, sipas të drejtës zakonore, në këtë krahinë, nderi
ka qënë kërkesë themelore për të zbatuar, në çdo rast, drejtësinë për të gjitha problemet a çështjet që i kanë dalë labit
në jetën e tij, është balanca kryesore e vlerësimit të njeriut.
Me nderin është lidhur
ngushtësisht dhe ndjesia e të Drejtës, e shprehur në formulimin: "imja-imja, jotja-totja". Drejtësinë labi nuk e ka
pritur tia siguronin të tjerët, por e ka ndertuar atë sipas normës zakonore për të qënë zot i vetes e i pronës dhe për të
patur liri, nder, dinjitet, krenari, të cilat nuk i donte të cenuara, por të plota e të sakta.
Po me nderin e lidh
autori, dhe virtytin e "burrërisë", të "fjalës së dhënë", të, "besa-besë" , "besa e burrit-pesha e gurit", "burri kur
jep fjalën, ther djalën", apo "burrë është ai që fal",, duke çmuar kështu jetën e njeriut. I tillë është dhe virtyti "i
mikpritjes", që ka lidhje të brendëshme psikologjike, gjithashtu me nderin e njeriut.
Duke shtjelluar këto virtyte, ku është bazuar e drejta zakonorë e Labërisë,
Autori, nenvizon se këto vlera, si bie fjala, "besën", mbajtjen e "fjalës së dhënë", Labëria e njeh të paktën që nga besëlidhja,
e lidhur në Progonat, në 1846, kur besa është shfaqur dhe si një "institut juridik" i të drejtës zakonore të
Labërisë. Ndërsa "Mikpritjen", prof. Çabej, e cilëson si "zakon i shenjtë" i shqiptarit, Kadareja, thote se
shqiptari e ka nderuar mikun, si "hyjni" dhe Naimi që shkruan: "Njeriu, që është i uruar, mikun, e pret krahapur
dhe e përcjell të gëzuar", që në të drejtën zakonore të Labërisë normohet: "nderi, i bëhet mikut", prof. Elezi e cilëson
mikpritjen, si "virtyt i çmuar".
Por, mençuria labe, konkludon prof. Elezi, të drejtën zakonore të Labërisë,
herë pas here, e ka reformuar e zhvilluar, sepse normat zakonore nuk janë tipar biologjik i njeriut, por shprehje
e rrethanave të caktuara. Prandaj dhe Labëria, duke mos i qëndruar statik a fanatik pandryshueshmërisë së normave
e zakoneve tradicionale, ka ditur të zbut ashpërsinë e tyre, në përshtatje me progresin ekonomik e shoqëror, jo vetëm të Labërisë,
por dhe të gjithë Shqipërisë. Kjo sepse, burrat e kësaj treve kanë qënë, jo vetëm, siç i përshkruajnë vite më parë, kronikanë
të huaj, "kreshnikë të rreptë e luftëtarë trima", por prof. Elezi argumenton se "ajo(Labëria) është shquar dhe për njerëz
të urtë e të mënçur, krijues e interpretues, por dhe zbatues të mirënjohur të së drejtës zakonore". (f.
31.) Për këtë dëshmojnë 6 kuvënde të burrave të zakonit, që nga 1846 e deri në 1928, të cilët,(burrat e zakonit), konsideroheshin
që të gjithë "burra 400 drehem".
Gjithashtu, në këtë vepër sqarohet idea se normat zakonore ruhen për
aqë kohë sa nuk ekziston në praktikë e drejta zyrtare-pozitive, pra, ligji dhe shteti, duke ruajtur ato të drejta zakonore
e vlera etiko-morale, që nuk vijnë në kundërshtim me zhvillimin e shoqërisë në rrugën e lirisë e të civilizimit qytetar.
Pra, e drejta zakonore, duke qënë shprehje e mënçurisë
popullore dhe e vlerave etiko-morale të vetë popullit të kësaj ane,
është njëherazi dhe shprehje e ndjenjës së lirisë e të drejtës, të identitetit
krahinor e kulturor të arbërit e të Arbërisë, siç është emërtuar kjo krahinë për shekuj me radhë.
Ky konkluzion argumenton se Labëria, është jo vetëm treva e trimërsë,
por njëherazi dhe treva e mënçurisë, sepse trimërinë për lirinë e vendit, historikisht, e kane nxitur të mënçurit, njerëzit
e udhës së diturisë. Prandaj, trimat janë vënë në ballë të luftës, pavarësisht se frytet e saj, kryesisht, i kanë përfituar
politikanët. Kështu, në njerën anë, mençuria ka frymëzuar trimërinë, nga ana tjetër, trimëria ka sjellë lirinë, e cila përsëri,
ka zhvilluar diturinë.
Për zgjidhjen e konfliktit me pushtuesit, mënçuria e dituria në Labëri,
ka ngritur më këmbë trimërinë, për të fituar lirinë, nderin e dinjitetin dhe për të jetuar i sigurtë në trojet e veta. Ndërsa,
konfliktet e mosmarrëveshjet brenda vetes, në fshat e krahinë, kjo trevë nuk i ka zgjidhur, me anën e forcës e të dhunës,
por me anën e mënçurisë popullore dhe diturisë intelektuale të kohës. Ky mesazh, që vjen deri në ditët tona, na këshillon,
aq më tepër në kushtet e demokracisë pluraliste e të globalizmit ndërkombëtar, që, zgjidhjen e problematikës aktuale, që nga
familja e deri në shkallë vendi, ashtu si dhe marrëdhëniet pozite/opozitë, dhe ato ndërkombëtare, ti zgjidhim vetëm me fjalën
e mençur e me mjetet e kulturës demokratike.
Në përfundim, mund të konkludohet, se, prof .Ismet Elezi, duke
bashkuar mençurinë popullore me dijen e tij intelektuale, na ka dhënë një vepër me vlerë historike, kulturore e juridike,
jo vetëm për Labërinë, por dhe për kulturën e dijen juridike shqiptare.
Guro ZENELI
Nr. 33 - prill 2003

|
Aladin Haxhiu |
MEDALJA E MIRËNJOHJES PËR
MAJOR ALAUDININ NË VLORË
Çdo të diel, tek "Shtëpia e Beut", takohen fterjotët e Vlorës. Këtu
pinë ndonjë kafe apo një çaj, një pije, ose diçka tjetër. Dhe nis biseda. Tema e ditës është si kaloi java, si janë fterjotët,
çlajm kemi nga Fterra dhe nga komuniteti fterjot në Sarandë e në Tiranë, apo kudo që janë fterjotët tanë. Vend të veçantë,
në bisedat tona, zënë nipërit e mbesat, vajzat e djemte, jo vetëm si janë me shëndët, por edhe se si venë me mësime e me strudime
nëpër shkollat përkatëse.
Pastaj mendja jonë hidhet nga një problem në tjetrin. Secili shfaq
lirshëm mendimin e tij. Një flet e të tjerët dëgjojmë. Ndonjëherë ka edhe debat shoqëror për këtë apo atë problem. Veç asnjëherë
nuk ka as më të voglën zëmëratë midis nesh e me asnjerin. Shpesh herë ka dhe ndonje "sebep". Të dielën e dytë të marsit "sebepçiu"
ishte Alaudin Haxhiu, djali i Balilit dhe Mezesë. Madje një grup fterjotësh i shkuan dhe në familje, sepse Alaudini kishte
një gëzim. Ishte dekoruar nga Presidenti i Republikës me "Medaljen e Mirënjohjes"ne detyrën e tij në polici me gradën: major.
Prandaj u organizua dhe një banket miqësor. Në vëndin e nderit, Alaudini. Për rreth tij Naxhiu, Zekua, Nebiu, Aliu, Mevluti
e Bajraktari. Një mirësi e veçante për prindërit e Alaudinit, që jetojne e banojnë në Fterrën e të gjithëve. Mirësi për punën
e lavderuar që ka bërë Alaudini, si komandant reparti në polici, por dhe si njeri korrekt ne jetë e në familje, madje i lavdëruar
dhë në komunitetin e fterjotëve këtu në Vlorë. Banketit tonë i dhanë gjallëri Bujari, Sezaiu, Fatmiri, Graniti, Estrefi, Birbili
dhe...
Takime, biseda e bankete të tilla, na bëjnë të njihemi e të lidhemi
më shumë me njeri-tjetrin, duke na shtuar dashurinë dhe për Fterrën e për të gjithë fterjotët, kudo që jetojnë e punojnë,
pa harruar asnjëherë ata që janë jashtë e larg Shqipërisë.
Kastriot SHKURTI
Nr. 33 - prill 2003

|
Muzafer Korkuti |
RITAKIM I LARGËT, NGAZËLLYES
Ndërmjet vitit l953 dhe 2OO2 kishin kaluar plot 49 vjet nga takimi
im i parë si dhe atij të fundit me profesor doktor Muzafer Korkutin.
Vetëm një muaj ishte njohja jonë e atëherëshme: unë nxënës i klasës
së pestë, që vija në shtatëvjeçaren e Kuçit nga Çorraji, ai mësues i ri, ndofta në vitin e parë të punës, pasi kishte mbaruar
shkollën për mësues. Na ndau fukaralleku i skajshëm i familjes time atëhere.
Na ritakoi një rast i gëzueshëm, për të cilin nuk mund të rri pa shkruar
pak fjalë në gazetën "Fterra jone", të cilat dua të jenë më shumë se një falenderim .
Ishte qershor i vitit 2OO2, pas drekës. Më telefonoi në shtëpi duke
më uruar për titullin shkencor "Drejtues kërkimesh" (Profesor) që më ishte miratuar në Komisionin e Kualifikimit Shkencor
ku ai është anëtar dhe paskish paraqitur pëmbajtjen e dosjes time të punimeve shkencore, e percjellë atje nga Senati I Universitetit
te Tiranës.
- E falenderova dhe "do pimë kafe " shtova tërë kënaqësi.
- Nuk mundem as sot as nesër, tha, pasi po shkoj urgjent me shërbim
në Butrint të Sarandës ku është zbuluar një statujë që duhet identifikuar kujt i përket.
I shkova një ditë tjetër në zyrë. E falenderova dhe me pak
fjalë i kujtova pak gjëra , duke filluar nga njohja e parë dikur në Kuç. Mbaj mend mirë, i thashë, se një vizatim të bërë
me kalem ma more nga dora, e ngrite lart dhe ia tregove klasës duke vlerësuar si konturet e raportet ndërmjet pjesëve, por
sidomos drite-hijet e realizuaraBuzeqeshja juaj e përhershme dhe sidomos ai vlerësim nuk mu hoqën nga sytë për nje kohë të
gjatë. Dhe nuk e ndjeja lodhjen nga rruga në këmbë çdo mëngjes për në atë shkollë e kthimin prapa mbas mësimit. Por në fund
të atij shtatori l953, me pikëllim në shpirt, e lashë shkollën. Familja nuk kish as rroba fjetjeje për mua një njeri, as bukë
të mjaftueshme, as njeri që të më priste e sillte dru nga pyjet në Kuç, ku mund të strehohesha në ndonjë shtëpi nga ato gjysëm
të djegurat nga lufta, siç u siguronin familjet disa nxënësve fterriotë e çorriotë më të mëdhenj se unë në moshe Ndofta tani
jam zbuluar para jush si ajo statuja e Butrintit, jo nga shtresa e dherave shumëshekullore, por nga një varg i madh vështirësish
si dy vjet pa mundur të shkoj në shkollë etj përfshirë edhe ato të fushës, ku i pari në Republikën e Shqipërisë meritova atë
titull të lartë shkencor. Më falni në se kjo është mungesë modestie, së paku ështe nje gëzim që juve nuk mund të mos jua shpreh
- E vunë në dukje këtë veçori edhe kolege të tjerë gjatë diskutimit,
tha profesor Muzaferi.Diskutoi për veprimtarinë tuaj shkencore edhe vetë ministri i Arsimit dhe i Shkencës.
Pse ta fsheh. i gëzuar deri në një fare ngazëllimi, u ngrita në këmbë
nga karrikja ku qëndroja përballë tij dhe desha ta përqafoja se mu duk sikur vetëm pas kësaj po më mbyllej plaga e thellë
e shpirtit nga lënia e shkollës dy vjet rresht në ato vite të largëta të jetës time të shënuara me lotë arave, maleve e pyjeve,
pas bagëtiseKur iu afrova, pashë se ai i kish sytë të përlotur. U stepa. Më erdhi rëndë ta pyesja për arsyen: mos ish ai kujtim
i largët i vështirësive të mëdha që i kish kaluar edhe vetë, apo iu bë gjyç në fyt si mësues e pedagog universiteti nga ai
detaji i fletes time të vizatimit; por ndofta edhe se ja, tani ish nxënësi, tani burrë i thinjur meritoi titullin shkencor
që mban edhe vetë?! Cilado të ketë qënë arsyeja, nuk ka vend më ta pyes. Të dyve na flakërinin sytë përballe njeri-tjetrit,
prane asaj tavoline të tij të punës. E përse do të duhen më tej fjalët edhe në se do të rrimë kur të vijë rasti si bij të
asaj lugine apo të nje fshati "me dy zjarre", siç tha një ditë Guro Zeneli.
Prof. Dr. Hektor VESHI
Nr. 33 - prill 2003

|
Kopertina e librit |
"ZAMBAKËT E KUQ TË FTERRËS"
me autor Bajram SADIKAJ
Doli ne qarkullim libri i Bajram Sadikaj " Zambakët e Kuq të Fterrës", në të cilin
me vërtetësi e korrektësë flitet për 6 dëshmorët e Fterrës: Azem Çeli, Fuat Mato, Hiqmet Dusha, Osman Memi, Shaqo Mita e Turhan
Mato ( siç shifet autori renditjen e ka bërë sipas alfabetit).
Në hyrje autori shkruan: "Mendimi se dëshmorët nuk kanë vdekur, vetëm se ranë për
të mbetur përjetësisht shtatore të pavdekshmërisë, më nxiti dhe shkrova për ta, për secilin prej tyre, pa harruar se të gjashtë
kishin të përbashkët: qëllimin për të cilin luftuan, idealin që i frymëzoi dhe veprën madhështore që kryen. Prandaj, si 28
mijët e Shqipërisë edhe dëshmorët e Fterrës, për tu shprehur atyre nderimin dhe mirënjohjen, si ti kishim të gjallë midis
nesh i përmendim me një emër të përbashkët, emrin simbol: "YJE TË PASHUAR". Më i goditur, sigurisht. Po mbase do të shkonte
edhe "ZAMBAKËT E KUQ", siç guxova ti quaj unë. "
Per kete liber autori ka punuar nje kohe të gjatë. Varjanti i parë ka përfunduar
që në vitin 1994. Më pas autori ka mbledhur të dhëna të tjera plotësuese, ka saktësuar ngjarje e fakte dhe tashti na jep këtë
botim të plotë.
Libri ka vlerë të veçantë, sidomos për fteriotët dhe miqtë e dashamirësit e tyre,
sepse në të shkruhet për ata që dhanë gjakun në Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare, në krah të së cilës Fterra u rreshtua
tërësisht. Në libër, gjejmë fakte e ngjarje të reja, të cilat kanë qënë pak të njohura, ose që nuk njiheshin nga mjaft njerez,
sidomos nga brezi që nuk e ka jetuar luftën. Libri ka gjithashtu vlera edhe për rishkrimin e historikut të Fterrës. Ai është
i pari libër që shkruhet vetëm për bijtë e Fterrës.
Libri ka vlerësim nga shkrimtari Neshat Tozaj, i cili, veç të tjerave, shprehet :"
I gjithë libri, ashtu i vërtetë siç është, ka një bukuri mahnitëse dhe befasuese"
Është në nderin e çdo familje fteriote, kudo që ndodhet, që ta ketë këtë libër në
bibliotekën e saj.
Agron XHAMA
Nr. 33 - prill 2003

|
Aferdita Bezhani |
AFERDITA - NJË ZONJË GRUA
Një grua e nderuar, një shëmbull qytetarie, një njëri i mirë, një zonjë
gjirokastrite. E tillë ka qënë tërë jetën e saj Afërdita, gruaja e Nafizit tonë, që lindi në vitin 1932 në Gjirokastër, që
studioi me zell, duke mbaruar shkëlqyer Universitetin Tiranë, ku meritoititullin inxhiere ndërtimi, profesion që e ushtroi
tërë jetën me zotësi.
Vdekja e saj erdhi pa pritur. Kishte shqetësime, por jo probleme. Por
edhe shqetësimet nuk ia thoshte të shoqit, se kishte më shumë merakun e shëndetit te Nafizit, se sa të saj, se me Nafizin
e lidhi jetën e saj që në rini, se Nafizit nuk iu nda pëq asnjë çast dhe në vite e në kohë të vështira. Afërdita ishte nje
grua shëmbullore që, bashkë me Nafizin, diti ta ndërtojë dhe ta përballojë jetën me dinjitet në familje, në punë e në shoqëri,
me fterjotë e me gjirokastrit, e kudo ku punoi e jetoi.
Afërdita la si kujtim vlera njerëzore e qytetarie, la gjurmë si inxhiniere
shëmbullore për vite me radhe, la emër të mirë tek të gjithë njerëzit me të cilët u njoh në jetë e në punë.
Për vlerat e saj të çmuara Afërdita do të mbetet në kujtesën tonë,
në kujtesën e Bezhanajve e te fterjotëve, në kujtesën e tërë miqësisë e shoqërisë së saj, si një grua e veçantë, si një grua
e paharruar.
Dilaver SHKURTI
Nr. 33 - prill 2003
|